Molliqaj pas fitores së VV-së në Podujevë: Kosovën e pret një rrezik mbi demokracinë

Molliqaj pas fitores së VV-së në Podujevë: Kosovën e pret një rrezik mbi demokracinë

Lideri i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet lokale në Podujevë, shkruan Insajderi.

Në një postim në Facebook, Molliqaj u shpreh se ky rezultat ishte pak a shumë i pritshëm, ndërsa ka shtuar se “mashtrimi i madh i populizmit antikorrupsion do të vazhdojë edhe për një kohë”.

Tutje, ai ka paralajmëruar se Kosovën e pret një rrezik mbi demokracinë.

“Diktatura e numrave do ta totalizojë skenën dhe diskursin. Jo vetëm si kontroll medial, por edhe si strukturë e mbyllur ideologjike – si mohim i tjetrit. Kjo betejë është në ardhje. Por, kritiku i populizmit nuk mund të sillet me cinizëm e përçmim për njerëzit dhe nevojat shoqërore. Çfarë na duhet është më parë horizont sesa skemë”, ka shkruar ndër të tjera Molliqaj. /Insajderi.com