Surroi akuzon RTK-në: Ka dhjetë vite që censurohet prania ime në televizion

Surroi akuzon RTK-në: Ka dhjetë vite që censurohet prania ime në televizion

Publicisti kosovar Veton Surroi ka shprehur indinjatën e tij ndaj Transmetuesit Publik të Kosovës, për, siç ka thënë ai “censurimin e pranisë së tij” në RTK prej dhjetë vitesh.

Surroi reagoi ndaj zëvendësdrejtorit të RTK-së, Mufail Limani, i cili ka reaguar ndaj zëvendësdrejtorit të Radio Televizionit të Kosovës, pasi Limani e cilësoi “të helmuar dhe të verbuar nga urrejtja” Surroin.

Sipas Limanit, Veton Surroi i doli në mbrojtje të Shefqet Krasniqit pasi është i helmuar dhe i verbuar nga urrejtja dhe hakmarrja.

“Vërtete për keqardhje ky lloj “rezonimi” i shtrirë ne një këso rrëfenje politike me figura e figurëza pseudoletrare e pseudojuridike, ku nuk shihet gjë me shume se edhe nje autoportret i radhës- i një personi te helmuar e verbuar nga urrejtja dhe hakmarrja”, deklaroi Limani.

Përmes një opinioni të botuar në Koha.net, Surroi tha se RTK është një medium i cili prej kohësh shërben për Partinë Demokratike të Kosovës. Thotë se Transmetuesi Publik është i kapur nga PDK-ja.

Ai u ankua se prej dhjetë vitesh është censuruar prania e tij në këtë televizion, i cili siç thotë Surroi “është i financuar me para publike dhe do të duhej të ishte në shërbim të po atij publiku”.

“Në këtë medium ka dhjetë vjet që censurohet prania ime (në kronika, ftesë për intervistë e të ngjashme), ndonëse është i financuar me para publike dhe do të duhej të ishte në shërbim të po atij publiku. Por, meqë zëvendësdrejtori i këtij institucioni shpall se jam i ‘helmuar e verbuar nga urrejtja dhe hakmarrja’ me gjasë më jepet një udhëzim që qëndrimet e mia duhet t’i përshtaten kutit moral të institucionit të zëvendësdrejtorit”, ka thënë Surroi.

Surroi javën e fundit ka publikuar dy opinione, përmes së cilave i doli në mbrojtje ish-Imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi. Surroi e ka quajtur gjykim politik aktakuzën e ngritur ndaj Krasniqit.