Shkrimtari dhe kryeredaktori i revistës “Pionieri”, Hasan Hasani, ka ndërruar jetë këtë të martë, njofton Insajderi.
Për vdekjen e tij ka ngushëlluar ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e cila vlerësoi lart kontributin e Hasanit në letërsi dhe gazetari.
“Me pikëllim mora lajmin për ikjen nga jeta të familjarit tuaj, shkrimtarit dhe kryeredaktorit të shquar të Revistës “Pionieri”, Hasan Hasani. Ai ka lënë prapa një krijimtari të bujshme letrare për fëmijë e të rritur si dhe ka kontribuar në përgatitjen e shumë teksteve dhe veprave letrare. Vlen të spikatet kontributi i tij i çmuar në revistën “Jeta e Re”, “Fjala”, “Shkëndija” dhe në Revistën “Pionieri” ku shërbeu si kryeredaktor”, ka njoftuar Dumoshi.
Me mbi 60 vepra letrare, Hasan Hasani do të mbahet mend si shkrimtar i talentuar e produktiv si në poezi ashtu edhe në prozë. I laureuar me shumë çmime në Kosovë e në Shqipëri, me veprën e tij do të njihet si përfaqësues i denjë i kulturës dhe artit në përgjithësi.
“Ngushëlloj sinqerisht familjen, Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” ku ishte anëtar si dhe të gjithë dashamirët dhe bashkëpunëtorët e tij”. /Insajderi.com