Gjykata e Apelit e arsyeton përgjysmimin e dënimit për Darko Tasiqin

Gjykata e Apelit e arsyeton përgjysmimin e dënimit për Darko Tasiqin

Gjykata e Apelit ka reaguar pasi disa banorë të Krushës kanë protestuar të enjten para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, pas përgjysmimit të dënimit të Darko Tasiq, shkruan Insajderi.

Nga kjo gjykatë, përmes një komunikate për media, kanë bërë të ditur se Tasiq ngarkohej nga Prokuroria Speciale për dy vepra penale Krime lufte kundër popullatës civile.

“Vepra e parë të akuzuarin e ngarkonte për plaçkitjen e sendeve të luajtshme. Vepra e dytë e ngarkonte për përdhosjen e kufomave që kategorizohet si veprim kundër dinjitetit njerëzor, e cila kategorizohet vetëm si veprim në protokollin 2 të Konventës së Gjenevës, por nuk parashihet si vepër e veçantë në kuadër të nenit 142 të LPJ, prandaj nuk mund të qëndroj si vepër e veçantë”, thuhet në njoftim.

Sipas Apelit, prokuroria nuk ka të drejtë as kushtetuese e as ligjore që të ngarkojë dikë me akuzë sipas ligjit më të pafavorshëm për të.

“Është më rendësi të dihet se dënimi maksimal i paraparë me ligj është 20 vite, sipas ligjit penal të Jugosllavisë, ngase ai ligj ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, dhe si i tillë edhe sipas Kushtetutës së Kosovës, duhet zbatuar ai ligj se është më i favorshëm për të akuzuarin.

Në rastin konkret gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar dënim përtej maksimumit të dënimit të paraparë me ligj, ndërsa në anën tjetër prokuroria nuk ka të drejtë as kushtetuese e as ligjore që të ngarkojë dikë me akuzë sipas ligjit më të pafavorshëm për të”, thuhet tutje në komunikatë.

Gjykata e Apelit ia ka përgjysmuar dënimin me burgim, të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq.

Kjo gjykatë ka aprovuar ankesën e mbrojtjes, ashtu që të akuzuarit Tasiq i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 11 vjet burgim./Insajderi.com