Aktualisht asnjë i burgosur nuk është i infektuar me COVID-19 në burgjet e Kosovës

Aktualisht asnjë i burgosur nuk është i infektuar me COVID-19 në burgjet e Kosovës

Sikur në pothuajse të gjitha institucionet në vend, COVID-19 ka ‘depërtuar’ edhe në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, shkruan Insajderi.

Që nga fillimi i pandemisë, në këto institucione janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 gjithsej 12 të burgosur dhe 135 punonjës.

Kështu ka deklaruar për Gazetën Online Insajderi, zyrtari për informim i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.

Gashi tha se në të gjitha burgjet e vendit aktualisht nuk ka asnjë të burgosur me Coronavirus aktiv, ndërsa nga stafi janë edhe 26 të infektuar, të cilët po qëndrojnë në vetizolim.

Sipas tij, gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe është duke shkuar drejt normalizimit.

“Si rezultat i infektimit me pandeminë COVID-19, deri më tani, asnjë i burgosur dhe asnjë punonjës i institucioneve korrektuese nuk ka vdekur”, tha ndër të tjera Gashi.

Ndërsa, sa i përket furnizimit me mjete mbrojtëse, ai tha se gjendja është stabile dhe nën kontroll.

Si shkak i rritjes së numrit të rasteve me këtë pandemi, SHKK-ja nga 19 tetori ka ndaluar sërish vizitat për të gjithë të burgosurit.

Gashi, njoftoi se si alternativë komunikimi, në të gjitha institucionet korrektuese janë mundësuar telefonatat me të shpeshta dhe sistemi i komunikimit virtual përmes ‘SKYPE’, sipas procedurave institucionale.

“Po ashtu, pranimet e reja, fillimisht i nënshtrohen fazes katërmbëdhjetë ditore të karantinimit për të vazhduar me vendosjen e rregullt. Nga ky Urdhër Operativ janë përjashtuar Institucioni i Avokatit të Popullit dhe mbrojtësit rasteve të gjykimit, të cilat janë në zhvillim”, përfundoi ai./Insajderi.com