
Një 15-vjeçare nga Rahoveci është bërë nënë të martën, shkruan Insajderi.
Lindja e saj është bërë në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë.
Për gjendjen e foshnjës dhe të nënës, për Gazetën Online Insajderi ka folur shefi i Repartit të Gjinekologjisë, Qamil Hamza.
Hamza njoftoi se gjendja e tyre është e mirë dhe se të premten pacientja do të lirohet për në shtëpi.
“Sh.K. e datëlindjes 2005 nga Rahoveci ka lindur me datën 01.12.2020 në ora 21:30. Femija i gjinisë femërore me PT 2890 dhe gjatësi 50 cmApgar 8/9. Gjendja e nënës dhe foshnjës është e mirë. Janë kontaktuar organet kompetente dhe sot pacientja shkon në shtëpi së bashku me foshnjën”, tha ai.
Për lindjen e të miturës, policia thotë se është njoftuar nga spitali vetëm pas dy ditësh.
Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta për Gazetën Online Insajderi njoftoi se lidhur me rastin janë intervistuar katër anëtarë të familjes së të miturës, të cilët kanë deklaruar se vajza e tyre ka një vit që bashkëjeton me një 19-vjeçar.
“Me datë 03.12.2020, Sektori Rajonal për Hetime nga DRP- Gjakovë ka pranuar informacion se në spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, respektivisht në repartin e Gjinekologjisë, ka kryer lindje një femër e moshës 16 vjeqare. Hetuesit policor kanë kontaktuar me familjarët e të miturës të cilët kanë deklaruar se vajza e tyre ka një vit që bashkjeton me një person i cili po ashtu ishte në shoqërimin e tyre në spital”, ka deklaruar Graishta.
Tutje, ai njoftoi se lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari, i cili më pas është liruar në procedurë të rregullt. Ndërsa, në konsultim me prokurorin, rasti është inciuar si “Bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjeç”.
“Policia në konsultim me prokurorin ka iniciuar rastin tashmë të cilësuar si ”Bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjeç” dhe po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin e çështjes. Deri më tani janë intervistuar të gjithë personat e konsideruar si të nevojshëm për procedurën hetimore ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet janë duke u zhvilluar nga Sektori i Hetimeve Rajonale në Gjakovë”, ka deklaruar Graishta./Insajderi.com