Qeveria publikon raportin për matjen e territorit, fton deputetët ta votojnë

Qeveria publikon raportin për matjen e territorit, fton deputetët ta votojnë

Qeveria e ka publikuar në faqen zyrtare të saj raportin e Komisionit Qeveritar për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës.

Pas kësaj, Qeveria thotë se është në procedurë të dërgimit në Kuvend të këtij raporti.

“Ky raport zyrtar i Komisionit të ekspertëve, të kryesuar nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, puna e të cilit është mbikëqyrur dhe nënshkruar nga përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-ve, të KFOR-it dhe të BE-së, tashmë është në procedurë të dërgimit për informim në Kuvend dhe te Presidenti i vendit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Qeveria thotë se “edhe ky raport konfirmon punën e Komisionit shtetëror, qëndrimin e Komisionit të ekspertëve ndërkombëtarë të thirrur nga Presidentja Jahjaga, të Departamentit të Shtetit të ShBA-ve, të vendeve mike evropiane dhe shumë institucioneve vendore se Republika e Kosovës, me procesin e shënjimit të kufirit me Malin Zi, nuk e humb asnjë metër të territorit të Kosovës”.

“Duke ftuar përfaqësuesit e partive parlamentare dhe më gjerë që të jenë pjesë e këtij procesi historik të shënjimit të një kufiri ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, i cili njëkohësisht hap udhë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, Qeveria fton deputetët e Kuvendit që të jetësojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës për realizimin e këtyre aspiratave shumëvjeçare”, përfundon njoftimi i Qeverisë./Insajderi.com

Raportin mund ta gjeni këtu