Kanë dalë edhe pamjet e para të gërmimeve të cilat ende po vazhdojnë në Kizhevak të Rashkës së Serbisë, sa i përket shtatë deri në 20 trupave të shqiptarëve që dyshohet se janë varrosur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë disa fotografi dhe video-pamje nga vendi i ngjarjes, ku grupet punuese janë duke kërkuar këtë varrezë masive.
Pjesë e këtyre grupeve punuese janë edhe dy mjekë ligjorë nga Kosova, të cilët janë angazhuar për gjetjen e këtyre mbetjeve mortore.
Drejtori i Institutit Të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, në një përgjigje për redaksinë ka thënë se varreza që shihet në fotografitë është e pesta e zbuluar me mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës.
Ai tutje ka shtuar se që nga 16 nëntori kur ka nisur puna, janë duke u zbuluar mbetjet mortore, artefaktet, rrobat dhe do të punohet derisa ju lejohet nga kushtet atmosferike.
Ndonëse puna në këtë terren është cilësuar si mjaft e vështirë, një shifër për numrin potencial të gjetjeve mortore në këtë lokacion ka dhënë Mathew Holliday, shefi i Programit për Ballkanin Perëndimor i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur.
Ai për REL ka konfirmuar se bëhet fjalë për 7-20 raste të mbetjeve mortore që mund të nxirren nga gërmimet.
Më poshtë gjeni pamjet nga vendi i ngjarjes. /Insajderi.com