Ushtruesja e Detyres së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes, bazuar në Ligjin për Dhënien e Dekoratave, ia ka ndarë Medaljen Presidenciale Ushtarake ish-komandantit të KFOR-it gjeneralmajor Michelle Risi, njofton Insajderi.
Ky çmim vjen pasi është vlerësuar puna dhe angazhimi i Risi-it në ruajtjen e paqes dhe mbështetjen për komponentën e sigurisë, , bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Tutje thuhet se në emër të gjeneralmajor Risi, medaljen e ka pranuar komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici.
Të njëjtën dekoratë Osmani ia ka ndarë edhe ish-këshilltarit, ushtarakut bilateral nga Republika e Italisë për Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Vincenzo Stella, të cilën në emër të tij, e ka pranuar gjeneralmajor Federici.
Medalja Presidenciale Ushtarake është dekoratë shtetërore e Kosovës, e cila u jepet ushtarakëve vendës e të huaj, të cilët kontribuojnë në cilësinë e aftësive ushtarake e të mbrojtjes së vendit.
Në ceremoninë e dekorimit të ushtarakëve italianë kanë marrë pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Anton Quni si dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama./Insajderi.com