Shpejtim Bulliqi merr zyrtarisht detyrën si kryetar i Podujevës

Shpejtim Bulliqi merr zyrtarisht detyrën si kryetar i Podujevës

Fituesi i zgjedhjeve komunale për Podujevën, Shpejtim Bulliqi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, edhe zyrtarisht ka marrë detyrën e kreut të kësaj komune, në një seancë solemne të Kuvendit, njofton Insajderi.

Bulliqi me këtë rast ka thënë se do tu përmbahet të gjitha premtimeve të bëra gjatë fushatës, krejt kjo në të mirë të mirëqenies së qytetarëve të Podujevës.

“Unë sot po marr një përgjegjësi të lartë që më besuan qytetarët për ti shërbyer një komuniteti dhe rrethine. Gjatë kësaj kohe kam reflektuar mbi të arriturat historikisht që ka pasur Llapi dhe Podujeva. Besimin e qytetarëve do ta kthejmë në realizim të pritjeve të tyre”, ka thënë Bulliqi.

Ai shtoi se është i nderuar dhe përgjegjës që përmes një procesi demokratik llapjanët i kanë deleguar detyrën e drejtimit të një komune që ka nxjerrë emra të mëdhenjë në të gjitha sferat.

“Llapi i ka dhënë Kosovës emra si Adem Demaci e Shaban Shala, Afrim Zhitia e Zahir Pajaziti, Enver Maloku e Xhemail Mustafa, Fadil Vokrri etj”.

“Shërbimi për qytetarët dhe ndaj tyre nuk do të jetë si nderë, dhuratë apo shpagim politik, por si shërbim ndaj qytetarëve mbi bazën e ligjshmërisë dhe kritereve të mertiokracisë”, shtoi tutje Bulliqi. /Insajderi.com