Hoti: Nëse nuk ka dakordim për presidentin, shkojmë në zgjedhje

Hoti: Nëse nuk ka dakordim për presidentin, shkojmë në zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur rreth çështjes së presidentit, për të cilin ka thënë se duhet bashkërendim të veprimeve mes partive politike, njofton Insajderi.

Ai në emisionin ‘Pressing’, është shprehur se rruga më e mirë për të arritur tek emri konkret i presidentit, është ulja me një tryezë të përbashkët mes krerëve të partive politike.

“Fillimisht duhet të ulemi dhe t’i shpalosim alternativat dhe të jemi të hapur ku secila parti duhet t’i bëjë propozimet e veta”

Tutje Hoti ka insistuar se “kjo është një nga rrugët dhe më e mira për momentin, duke e pasur parasysh situatën ku ndodhemi si shtet”.

Më pas Hoti ka thënë se “nëse nuk ka një marrëveshje mes partive, meqë dihet se me strukturën aktuale qe ka qeveria, zgjedhja e presidentit pa opozitën ose një pjese të saj është e pamundur, atëherë zgjedhjet janë rruga tjetër e cila e shpie çdo gjë nga fillimi”.

Hoti ka folur edhe për kandidaturën e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për të cilin ka thënë se “emri i tij nuk është propozuar dhe nuk është diskutuar mes partive, ai është veç dëshirë e AAK-së”./Insajderi.com