Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi ka sqaruar se shënimi i Kosovës me fusnontë në një dokument të sajin zyrtar ka qenë “gabim teknik”.
Në deklaratën e kësaj ministrie thuhet se “Gjatë përgatitjes së tabelës me masat e reja në luftën kundër pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, ndodhi një gabim teknik, gjatë të cilit Kosova u shënua me një yll”.
Më tej, në njoftim bëhet e ditur se menjëherë pasi është vërejtur gabimi, është korrigjuar dhe mund të shihet në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në Gazetën Zyrtare të Malit të Zi.
Më herët, në një nga dokumentet e para të Qeverisë së re të Malit të Zi dhe të Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi, i cili u referohet masave të reja kundër pandemisë COVID-19, Kosova u shënua me fusnotë.
Ndërsa, Qeveria e Malit të Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës disa muaj pas shpalljes së saj, në vitin 2008./Insajderi.com