Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se viti 2020 për Kosovën ka qenë një prej viteve më të vështira, më të komplikuara dhe më të paqarta.
Duke filluar nga pandemia, Hoxhaj përmendi edhe “mungesën e stabilitetit qeveritar” si dhe zhvillimet rreth dialogut Kosovë-Serbi.
Tutje, ai u shpreh se “goditja” më e madhe ishte konfirmimi i aktakuzave për ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi, ish-kreun e PDK-së, Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi dhe shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi nga Gjykata Speciale në Hagë.
“Mendoj se 2020 për Kosovën ka qenë një prej viteve më të vështira, më të komplikuara dhe më ta paqarta. Fillimisht kishim situatën e pandemisë, pastaj një situatë mungese stabiliteti qeveritar, ku u rrëzuar qeveria Kurti dhe erdhi qeveria Hoti, kishim zhvillimin në dialogun Kosovë-Serbi dhe në fund ishte goditja më e madhe që mund t’i ndodhte Kosovës, konfirmimi i aktakuzave për z.Thaçi, z. Veseli, z. Krasniqi dhe z. Selimi dhe për të tjerë nga Gjykata Speciale”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij, ajo çfarë është prezantuar në raportin e Dick Martyt, është një pretendim i sponzoruar nga Rusia dhe Serbia.
“Në pikëpamjen tonë ajo çfarë është prezantuar në Raportin e Dick Marty-t, i cili është më shumë një pretendim i sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia. Mos-përmendja e këtyre pretendimeve në procesin në Hagë, ngre realisht dilema të mëdha. Se në fund të ditës ngre pikëpyetjen se përse u themelua kjo gjykatë, sepse në kohën kur u publikua ky raport në mesin e partnerëve tanë ka pasur kërkesa që të verifikohen pretendimet e Dick Marty-t dhe të hiqen këto re të zeza mbi Kosovën dhe të mos e dëmtojnë imazhin e saj. Dhe fakti që tani nuk shihen askund kjo ngre dilema të mëdha tek ne”, është shprehur tutje Hoxha, për Report Tv.
Ai deklaroi se raporti i Martyt është sulm racist ndaj Kosovës, pasi nuk po atakohen vetëm individët, por po atakohet i gjithë karakteri i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Insajderi.com