Haxhiu: Çështja e të pagjeturve s’është e kryer, s’do të jetë asnjëherë

Haxhiu: Çështja e të pagjeturve s’është e kryer, s’do të jetë asnjëherë

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, njëherësh edhe ish-ministre e Drejtësisë, ka përkujtuar gjenocidin serb gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe 1600 personat që rezultojnë të zhdukur nga viti 1999 në Kosovë, duke thënë se çështja e të pagjeturve nuk është çështje e kryer dhe se nuk do të jetë e kryer asnjëherë, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, ajo tha se Serbia asnjëherë nuk kërkoi falje për krimet e bëra dhe se kriminelët ëndë janë të lirë, kurse mbi një mijë e 600 persona ende nuk janë gjetur.

“Sot, në ditën ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të gjenocidit, kujtojmë edhe njëherë gjenocidin serb në Kosovë, mijëra të vrarë e të masakruar, të dhunuar, të dëbuar, e të pagjetur. Serbia asnjëherë nuk u distancua nga krimet gjenocidale, asnjëherë nuk kërkoi falje dhe kriminelet janë ende të lirë, kurse mbi 1600 persona janë të pagjetur”, ka shkruar ajo.

Haxhiu tutje ka thënë që 21 vite pas luftës Kosova nuk ka bërë asgjë për të kërkuar përgjegjësi nga Serbia për gjenocidin që ka kryer në vend.

“Edhe sot, 21 vjet pas çlirimit, vijnë lajme për gjetjen e varrezave masive nëpër Serbi, kurse shteti i Kosovës nuk ka bërë asgjë për të kërkuar përgjegjësi nga Serbia, përkundrazi është Kosova ajo që po gjykohet. Sot, sidomos sot, duhet të theksojmë se çështja e të pagjeturve nuk është çështje e kryer. Kjo çështje asnjëherë nuk do të jetë e kryer, jo vetëm pse na mungojnë mbi 1600 të pagjetur, jo vetëm pse nuk është vendosur drejtësia në vend, por edhe sepse e vërteta e gjenocidit serb në Kosovë do të jetë përjetësisht e pashlyer”, ka thënë ajo.

Në ndërkohë për nder të Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, si dhe parandalimi i këtij krimi, Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë. /Insajderi.com