Osmani: Në zgjedhjet e ardhshme garoj me listën time

Osmani: Në zgjedhjet e ardhshme garoj me listën time

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar formimin e një partie të re dhe se në zgjedhjet e ardhshme do të dalë me një listë kandidatësh, njofton Insajderi.

Osmani ka njoftuar se aktualisht po lobon në grumbullimin e votave.

“Jemi në process. Unë besoj që shumë shpejt do të dalim publikisht si ekip. Jemi duke punuar në teren. Në disa komuna kemi punuar më shumë, e në disa të tjera jemi në proces dhe jemi shumë të kënaqur me përkrahjen që po marrim”, tha ajo në RTK.

Lidhur me një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, Osmani u shpreh se mbetet të shihet nëse do ndodh një gjë e tillë.

“Për momentin jemi në bisedime me VV-në, por nuk ka ende diçka konkrete, qëllimin e kemi të njëjtë”.

Ndërsa, sa i përket mundësisë për bashkëpunim me LDK-në, Osmani tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, duke e cilësuar ish-partinë e saj si “kapëse të shtetit”.

Më tej, Osmani është shprehur se votuesit e LDK-së i përfaqëson ajo dhe jo “lidershipi aktual që fshihet nën logon e kësaj partie”.

“Ka qenë zgjidhje e LDK-së, apo logos që për momentin e kanë njerëzit që janë në lidership, por votuesin e LDK-së dihet që e përfaqësoj unë dhe po ashtu parimet mbi të cilat kemi garuar në zgjedhjet e fundit i përfaqësoj unë dhe shumë kolegë të mi. Sepse ne kemi dalë dhe kemi garuar me një platformë të caktuar me premtime të caktuara të natyrës politike dhe natyrave të tjera dhe të gjitha ato fjalë që i kemi dhënë i kemi mbajtur”, ka shtuar ajo.

=/Insajderi.com