Shpejtim Bulliqi për Insajderin

“Ashtu si në Podujevë, VV do të fitojë në gjithë Kosovën”

Ka fituar zgjedhjet në Podujevë, por Shpejtim Bulliqi, beson se kjo do të përcillet në gjithë Kosovën. Sipas tij, qytetarët tashmë e duan Vetëvendosjes në qeverisje në nivel nacional e edhe në komunat tjera. Në Podujevë thotë se gjithçka po shkon mirë dhe s’do të ketë pengesa ta qeverisë komunën, përkundër se asambleja komunale ka më shumë njerëz të LDK-së sesa të VV-së.

“Ashtu si në Podujevë, VV do të fitojë në gjithë Kosovën”

Vendimi i parë posa mori detyrën e kryetarit të Podujevës ishte që orari fleksibil tetë orësh të zbatohet nga e gjithë administrata komunale, përkundër situatës me pandeminë.

Kryetari i sapo zgjedhur, Shpejtim Bulliqi, këtë e tregoi gjatë një  interviste për Gazetën Online Insajderi.

E filloi punën me kërkesë për punëtorët e administratës. Por, ai thotë se këta punonjës nuk ndjehen të frikësuar nga ndërrimi i pushtetit.

“Administrata komunale po ndjehet shumë rehat me praninë tonë në komunë, ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për bashkëpunim me secilin punëtorë të administratës dhe do të angazhohemi bashkërisht që t’iu shërbejmë sa më mirë qytetarëve”, tha ai.

Në emër të shërbimit më të mirë për qytetarët, Bulliqi dhe Lëvizja Vetëvendosje, arritën të fitonin zgjedhjet e jashtëzakonshme pa balotazh më 29 nëntor, duke e mposhtur Nexhmi Rudarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për Bulliqin, kjo fitore pa balotazh në bastionin njëzet vjeçar të LDK-së, nuk ishte befasi, e priste.

Thotë se këtë ia tregoi klima para zgjedhore kah do që shkonte.

“Fryma e ndryshimeve kishte kapluar komunën tonë dhe qytetarët. Kësaj radhe e kishin ndarë mendjen domosdoshmërisht për ta ndërruar pushtetin komunal, i cili ishte konsumuar e degraduar tej mase. Kjo frymë shihej kudo që shkonim dhe përditë na fuqizohej bindja për një fitore bindëse, ashtu edhe siç ndodhi”.

Sipas gjeografit kryetar që tani qeverisë me komunën më të madhe me territor në Kosovë, kjo klimë erdhi si pasojë e zhgënjimit  të madh të llapjanëve me pushtetin lokal të LDK-së si dhe “alternativa e Vetëvendosjes” për të sjellë një model të ri në Besianë.

Bulliqi tregoi se modeli i ri përbehet nga meritokracia në institucionin e komunës, menaxhim të mirë të parasë së taksapaguesve dhe transparencë radikale para qytetarëve.

Por, modeli në fjalë ka nëntë muaj kohë që të dëshmohet, pasi në vjeshtën e vitit 2021 zhvillohen zgjedhjet lokale të rregullta.

Një rikthim i fuqishëm qysh në vitin e ardhshëm është paralajmëruar nga Isa Mustafa e Agim Veliu. Të cilët synojnë t’ia marrin karrigen e kryetarit Bulliqi ende pa i bërë një vit qeverisje.

Por, Bulliqi e mendon të kundërtën. Ai beson se do të fitojnë përsëri në zgjedhjet e vitit 2021. Ka optimizëm për qeverisje të gjatë.

“Ne kemi garuar në zgjedhjet e fundit duke e pasur parasysh që po garojmë për një mandat të shkurtër më pak se 1 vjeçar, por ne nuk kemi hyrë për të qeverisur me komunën vetëm 9 muaj. Ne do të qeverisim gjatë dhe qytetarët do t’i shohin ndryshimet për këta muaj për të na e besuar mandatin e plotë në vjeshtën e vitit të ardhshëm”.

Përpos Podujevës ai sheh qeverisje të Vetëvendosjes edhe në nivel nacional që nga zgjedhjet e ardhshme.

Nga prizmi i tij “Llapi është barometër i qartë”, për fitoren e subjektit politik që udhëhiqet nga Albin Kurti.

“Fitoret e Lëvizjes do të vazhdojnë së shpejti në nivelin qendror, e pastaj edhe në shumicën e komunave të Kosovës. Qytetarët janë lodhur me qeverisje të papërgjegjshme e korruptive, në orvatjen e pakënaqësisë së tyre ata e gjejnë Vetëvendosjen si subjektin e vetëm që garanton ndryshimin e këtij mentaliteti qeverisës. Andaj, fitoret e Lëvizjes janë të pashmangshme në nivel vendi”, vazhdoi Bulliqi.

Llapi nuk është parë mostër për zgjedhjet nacionale vetëm për shkak të numrit të banorëve. Por, edhe për një përplasje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në mars të këtij viti.

Shkak ishte bërë një konfrontim në mes Albin Kurtit e Agim Veliut. Ata në qytetin e Podujevës u takuan rastësisht ballë për ballë teksa po bënin fushatë, njëri për Shpejtim Bulliqin e tjetri për Nexhmi Rudarin.

Bulliqi, deklaroi se Kurti e ka ndihmuar thellimin e fitores së tij në Podujevë. Por s’i konsideron zgjedhjet e 29 nëntorit si përballje mes Kurtit e Veliut.

“Unë nuk mendoj se ka qenë garë mes Kurti dhe Veliu, ne kemi qenë në garë lokale dhe subjektet e mëdha politike kanë garuar me kandidatët e tyre dhe kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë në këtë fushatë zgjedhore me praninë e tij. Të gjithë e dimë mbështetjen e madhe që gëzon në popull Kurti” .

Përkundër fitores në garën për kryetar komune, LDK-ja vazhdon të ketë më shumë asamblistë në komunë sesa LVV, bazuar në rezultatet për asamblistë të zgjedhjeve lokale 2017.

Bulliqi s’beson se kjo do të jetë pengese. Buxheti komunal për vitin 2021 veç se ka kaluar.

“Ne kemi një buxhet të gatshëm i cili ishte miratuar nga Kuvendi Komunal, andaj nuk mendoj që mund të na paraqesë shumë probleme në punën dhe angazhimet tona”. /Insajderi.com