Daçiq: Kosova kërkoi nga Trump-i të shfuqizohet Gjykata Speciale

Daçiq: Kosova kërkoi nga Trump-i të shfuqizohet Gjykata Speciale

Kryeparlamentari serb, Ivica Daçiq, tha se Kosova “i ka kërkuar” presidentit amerikan, Donald Trump, të shfuqizohet Gjykata Speciale.

Por, sipas tij “kjo kërkesë ishte refuzuar” nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas versionit të Daçiqit e gjithë kjo kishte ndodhur në muajin shtator – kur Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje ekonomike nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan.

“Shqiptarët i kanë kërkuar Trumpit që të jetë pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit. Në përgatitjet për takimet, Richard Grenell theksoi se një pikë duhet të jetë që të gjithë të punojmë së bashku për t’i shfuqizuar gjykatat ndërkombëtare të krimeve të luftës. Sigurisht, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, refuzoi”, tha Daçiq për televizionin serb, TV Pink.

Ditë më parë i dërguari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kërkoi që drejtësia të fokusohet nga brenda.

Madje, ai shprehi qëndrimin e tij mos-miratues për arrestimet e fundit nga Dhomat e Specializuara.

Figura të larta politike si ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, janë duke u mbajtur në Hagë – të akuzuar për “krime lufte”.

Kuvendi i Kosovës e kishte votuar Gjykatën Speciale në vitin 2015. Një kërkesë insistuese e komunitetit ndërkombëtar. /Insajderi.com