Selimi: Këtë javë do t’i shqyrtojmë kërkesat për ndihmë financiare ndaj të akuzuarve të Speciales

Selimi: Këtë javë do t’i shqyrtojmë kërkesat për ndihmë financiare ndaj të akuzuarve të Speciales

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka njoftuar se ky institucion do t’i shqyrtojë këtë javë të gjitha kërkesat që ka pranuar lidhur me ndihmën financiare për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen në Hagë, njofton Insajderi.

Gjatë një konference për media, Selimi tha se javën e kaluar Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka bërë verifikimin e zyrtarëve të ministrisë që do të merren me këtë çështje.

Ai deklaroi se së pari do të shqyrtohen dokumentet, pastaj shuma e kërkuar e parave dhe në fund do të bëhet transferimi i mjeteve.

“Fatmirësisht, javën e kaluar AKI-ja e ka përfunduar verifikimin dhe tash i kemi certifikatat e këtyre zyrtarëve të dhëna nga AKI-ja. Grupi do të mblidhet shpejtë dhe do ta shqyrtojë çdo kërkesë me dokumentet përcjellëse…”, tha ministri Selimi.

Më tej, ai shtoi se shteti do t’i ndihmojë edhe familjarët e të akuzuarve duke i ndihmuar financiarisht për vizitat ndaj këtyre të fundit.

“Ligji nuk e parasheh ndihmën për familjarët, miqtë, mikeshat. Familjarët e kanë ndihmën që ua jep shteti për t’i vizituar të akuzuarit”, tha Selimi./Insajderi.com