PSD kërkon lirimin e menjëhershëm të kosovarëve që u arrestuan në Serbi

PSD kërkon lirimin e menjëhershëm të kosovarëve që u arrestuan në Serbi

Partia Socialdemokrate e Kosovës, ka reaguar pas arrestimit të asamblistit të tyre në Komunën e Podujevës dhe të një qytetari tjetër nga ana e Serbisë, njofton Insajderi.

Në reagimin e tyre, nga PSD-ja thonë se të arrestuarit Blerim Maqastena dhe Berat Megjuani, po mbahen në paraburgim në Serbi.

“Sipas informatave që kemi, Blerimi dhe Berati për shkak të mjegullës së madhe kishin humbur rrugën duke ecur në zonën kufitare me Serbinë, dhe gabimisht janë futur në territorin e Serbisë”.

“Ata kanë lajmëruar Policinë e Kosovës, të cilët janë vënë në kontakt me autoritetet serbe nga të cilat pastaj janë ndaluar”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, nga ky subjekt politik u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të angazhohen maksimalisht që të arrestuarit të kthehen sa më parë në vendlindje.

“Duke parë natyrën e rastit, vonesat në trajtimin dhe lirimin e tyre janë të panevojshme dhe të papranueshme”, përfundon reagimi./Insajderi.com