Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka reaguar ndaj deklaratës së ushtrueses së detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, e cila tha se LDK-së i ka mbetur vetëm logoja, transmeton Insajderi.
Ditë më parë Osmani tha se është ajo që përfaqëson votuesin e LDK-së, për çka Beqiri thotë se një gjë të tillë nuk e ka thënë kurrë as themeluesi i partisë, Ibrahim Rugova.
“Sa i përket kësaj fjalie, që thënë sinqerisht sikur po bëhet pak famoze, është gabim shumë i madh. Deklarata e tillë nuk i bën nder as Vjosa Osmanit dhe askujt prej nesh, që sot të themi unë përfaqësoj votuesit e LDK’së e atyre iu ka mbet vetëm logoja”, tha Beqiri.
“Mos të harrojmë se për logon e LDK’së e mbi të gjitha ai që e ka bërë këtë logo, figurativisht po e them, ai kurrë nuk është thirr që votuesit i përfaqëson e LDK’së. As Ibrahim Rugova se ka thënë se i përfaqëson votuesit e LDK’së”, thotë ai në RTV Dukagjini.
“Unë mendoj se LDK i ka 28 deputetë dhe që të gjithë jemi në Kuvend me vota të LDK’së, dhe jo me vota të Vjosës. Ne e dijmë se ajo ka qenë mbartëse e listës por që të gjithë e dijmë se në zgjedhje votohet logoja”, shtoi ai. /Insajderi.com