Selimi konfirmon kërkesën e të akuzuarve për pagesën e mbrojtjes

Selimi konfirmon kërkesën e të akuzuarve për pagesën e mbrojtjes

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka konfirmuar se tashmë janë bërë kërkesat e para nga të akuzuarit e Speciales për pagesë të avokatëve mbrojtës, njofton Insajderi.

Ai në një intervistë dhënë në Interaktiv të KTV-së nuk ka zbuluar se kush ka bërë kërkesë, por ka thënë se jo të gjithë kanë aplikuar për këtë ndihmë nga shteti.

“Kemi filluar të pranojmë kërkesat e para. Besoj që këtë javë do të mblidhet komisioni për herë të parë dhe t’i shqyrtojë dosjet a janë të kompletuara. Kemi pranuar disa kërkesa nga të akuzuarit potencial atje, jo nga të gjithë, por nga disa. Pas konfirmimit të aktakuzave ndaj tyre është përmbushur kushti formal i Ligjit për mbrojtjen e të akuzuarve potencial”, ka thënë Selimi.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja, shtatë milionë euro tash dhe 13 milionë euro rezervë.

Selimi nuk ka dashur të flasë me emra dhe shifra, pasi sipas tij, kjo do të dëmtojë konfidencialitetin mes avokatëve dhe të akuzuarve./Insajderi.com