Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi se sikur te mos ishte kryeministër do të dilte në protestat e fundit të organizuara për vrasjen e Klodian Rashas.
Policia shqiptare vrau Klodian Rasha, pasi kishte shkelur orën policore. Pas asaj dite shpërthyen protestat.
Rama, tha se protestat janë e drejtë e padiskutueshme, transmeton Insajderi.
“E drejta e protestës është e padiskutueshme, e paanashkalueshme, por kjo nuk do të thotë që protestuesit kanë gjithmonë të drejtë. Dhe këtu ndahen qeveritë demokratike dhe ato jo demokratike. Si mund të vihet në diskutim që nga rruga, jo këta, por sikur të ishin 500 mijë veta, pas kësaj të kërkojnë të iki dhe Drejtori i Policisë. Nuk vendoset në rrugë, por në bazë të asaj që është e drejtë. Ishte e drejtë që qeveria të kërkonte ndjesë, jo se kishte gisht, por se djalin e vrau arma e shtetit”, tha ai.
Ai tha se ishte e drejtë që ministri i Brendshëm të largohet, për t’u solidarizuar me familjen.
“Ishte e drejtë që Ministri i Brendshëm të këmbëngulte që duhej të largohej, jo se kishte përgjegjësi, as direkte as indirekte, por sepse ishte e drejtë që mesazhi i pjesëmarrjes në dhimbje e asaj familje mos të ishte vetëm me fjalë dhe që moralisht ministri i Brendshëm të thoshte atë që tha. Këto nuk janë bërë si rezultat i protestës”, tha Rama. /Insajderi.com