MPJD kërkon lirimin e shtetasit Kosovar që u arrestua nga autoritetet serbe

MPJD kërkon lirimin e shtetasit Kosovar që u arrestua nga autoritetet serbe

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka bërë thirrje për lirimin e shtetasit kosovar që u arrestua në fshatin Mirovc, në afërsi të pikëkalimit kufitar në Merdare nga Policia e Serbisë, njofton Insajderi.

MPJD-ja ka thënë se përkundër kërkesave të vazhdueshme përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, pala serbe ka vonuar informacionin zyrtar.

Nga MPJD-ja është thënë se është parashtruar ankesë edhe te Zyra e Bashkimit Evropian në Serbi, në lidhje me vonesën e sqarimit të këtij rasti.

Në të vërtetë u arrestuan dy shtetas kosovarë, ndërsa njëri prej tyre është liruar, por ende në arrest mbetet asambleisti i Podujevës, Blerim Maqastena.

“Kjo është edhe një dëshmi e radhës, që në raport me shtetin e Kosovës, Serbia nuk tregohet bashkëpunuese, në vazhdimësi bënë provokime dhe tregohet se në realitet nuk është e interesuar për dialog dhe fqinjësi të mirë. Në dialogun e Brukselit, janë vendosur kanale zyrtare të bashkëpunimit dhe komunikimit në mes të dy shteteve, përfshirë edhe ndihmën e ndërsjellë juridike, të cilat Serbia po i shkelë në kontinuitet. MPJD-ja siguron familjarët e shtetasve të arrestuar se është duke bërë gjithçka që ka në dispozicion për ta sqaruar rastin deri në fund, si dhe do të vazhdojë të kërkojë lirimin sa më të shpejtë të shtetasit Blerim Maqastena. Njëherësh, diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd mbesin në dispozicion të familjarëve të shtetasit Blerim Maqastena, deri në lirimin e plotë të tij”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

MPJD-ja po ashtu i ka bërë thirrje shtetasve kosovarë që të jenë vigjilentë gjatë kalimit nëpër territorin e Serbisë, ku nuk ofrohet as siguri minimale fizike e juridike për ta, ndërsa sugjeron mundësisht evitimin e qarkullimit përmes Serbisë./Insajderi.com