Serbia ndërpret transmetimin e energjisë për Kosovën

Serbia ndërpret transmetimin e energjisë për Kosovën

Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova ka importuar nga ky vend, transmeton Insajderi.

Një veprim i tillë erdhi menjëherë pas fillimit të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës.

Lajmin për ndërprerjen e transmetimit të energjisë elektrike nga ky vend, e bëri të ditur anëtari i bordit të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), Nebih Zariqi.

Këta megavat të bllokuar nga Serbia, u zëvendësuan pastaj me një marrëveshje të arritur ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut, për furnizim nga kapacitetet energjetike të këtij shteti.

“Dihet se Serbia është prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në regjion dhe të gjitha shtetet e regjionit pjesërisht furnizohen nga Serbia. Kosova nuk i plotëson kapacitetet prodhuese të energjisë. Kemi pasur mungesë prej 500 megavatësh. Ata megavat deri në atë moment janë marrë nga Serbia dhe në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, pra pavarësimit të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia e ka ndërprerë transmetimin e energjisë për Kosovën”, ka thënë Zariqi për REL.

“Tashmë jemi të sigurt në operim të energjisë elektrike, kështu që besoj që do të ketë një stabilitet të madh këto ditë”, thotë Zariqi, duke shtuar se tashmë është futur në sistem edhe linja 400 kV interkonektive me Shqipërinë

Nga dita e hënë (14 dhjetor) KOSTT-i operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator. /Insajderi.com