Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se partia në të cilën bën pjesë nuk do t’i përgjigjet ndonjë ftese të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në takim për çështjen e presidentit, transmeton Insajderi.
I ftuar në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, thotë se LDK nuk e ka hallin te Presidenti, por te mosardhja deri te zgjedhjet e reja parlamentare.
”Ne mendojmë si Vetëvendosje që as që ja vlenë të shkojmë në mbledhje të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila nuk e ka hallin fare te presidenti, por e ka hallin tek mosshkaktimi i zgjedhjeve të reja nacionale parlamentare”, ka thënë ai.
”Për LDK-në nuk është shqetësimi dhe fokusi që Kosova nuk e ka një president. Shqetësimi është qysh kjo me qenë instrument i shmangies së zgjedhjeve nacionale. Kështu e konsideroj sjelljen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për arsye se nuk jam i sigurt nëse e ka të garantuar vendin e tretë në zgjedhje nacionale”, u shpreh tutje Konjufca.
Ai gjithashtu konsideron që tema e çështjes së presidentit por edhe e dialogut, nuk duhet ngritur fare për diskutim nga klasa politike, pasi sipas tij, Qeveria Hoti është jolegjitime.
”Lëvizja Vetëvendosje është përgjigjur ende pa ardhur ftesa. Përgjigjien është shumë kollaj ta japim për një çështje të tillë”.
”Krejt këto çështje po hapen për ta mbyllur një temë që është kryesore për qytetarët e Kosovës, që ata të zgjedhin një qeveri legjitime, të fuqishme dhe demokratike të Republikës së Kosovës”.
”Pra, të gjitha këto që po ngriten si tema tjera duke përfshirë këtë çështjen e presidentit dhe dialogut, unë mendoj se nuk duhet të hapen për sa kohë që kemi një qeveri që dukshëm i mungon legjitimiteti”, ka thënë Konjufca. /Insajderi.com