Ahmeti: Mbi dy mijë biznese që kanë aplikuar për grant janë eleminuar

Ahmeti: Mbi dy mijë biznese që kanë aplikuar për grant janë eleminuar

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se nga mbi shtatë mijë biznese që kanë aplikuar për grant, dy mijë e pesë prej tyre janë eleminuar, njofton Insajderi.

Sipas Ahmetit, një mijë e 726 biznese kanë qenë biznese të mesme ose të mëdha që nga Administrata Tatimore e Kosovës klasifikohen si biznese me qarkullim mbi 50 mijë euro.

“637 biznese të regjistruara sivjet – sepse ky fond nuk ishte për startup, pra ideja ka qenë biznese që pandemia i ka zënë në befasi. 300 biznese nga Komunat tjera – granti ka qenë për Prishtinë. 112 biznese – numri fiskal nuk ekziston në ATK. 57 biznese me numër fiskal të duplifikuar”.

“54 biznese që nuk janë aktive më – granti ka qenë për biznese aktive. 23 barnatore – nuk kanë qenë të ndaluara asnjëherë. 98 furra – nuk kanë qenë të ndaluara asnjëherë”, ka shkruar i pari i Prishtinës në Facebook.

Tutje, ai ka njoftuar se lista e eliminuar do të publikohet me numra fiskal, ndërsa ka shtuar se do të hapin edhe një proces të ankesave për ata të cilët mendojnë se të dhënat e ATK-së janë të gabuara.

“Në qoftë se mendoni se arsyeja është e pasaktë – pra që ATK-ja nuk e ka informatën atëherë do të hapim edhe procesin e ankesave. Pra, për infromata të pasakta, por jo edhe për kriteret sepse ai proces ka përfunduar”, ka shkruar Ahmeti./Insajderi.com