Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti në takim Ministrin e Mbrojtjes Anton Quni me të cilin kanë biseduar për bashkëpunim në projekte të përbashkëta mes dy ministrive, njofton Insajderi.
Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi e njoftoi ministrin Quni për veprimtarinë, planet dhe programin e MKRS-së për vitin e ardhshëm si dhe për sfidat me të cilat është përballur ministria këtë vit për shkak të rrethanave të pandemisë.
“Ka ardhur koha që vlerat heroike të heronjve tonë të përkujtohen edhe me aktivitete tjera me kreative dhe inovative. Si dy ministri duhet të gjejmë iniciativa inovative dhe t’i mbështesin ato me qëllim që gjeneratat e reja të përfshihen edhe më shumë dhe të mësojnë më shumë për vlerat historike dhe patriotike të vendit tone,” u tha në këtë takim.
Në ditët në vijim do të përpilohet një koncept dokument i cili do t’i paraprijë një memorandumi të bashkëpunimit i cili do të nënshkruhet mes dy ministrave.
Ndërkaq Ministri Quni falënderoi ministren Dumoshi për gatishmërinë që ajo e tregoi për të filluar bashkëpunimin për projektet që janë në interes të dyanshëm./Insajderi.com