Gërmimet në Kizhevak afër Rashkës së Serbisë, për eshtrat e njerëzve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovës, janë ndërprerë të premten e 12 dhjetorit për të vazhduar në pranverën e vitit të ardhshëm, atëherë kur kushtet atmosferike do të mundësojnë vazhdimin e këtyre punimeve.
Mbjetjet mortore të cilat janë zhvarrosur gjatë dy javëve punë në këtë lokacion, përfaqësojnë së paku katër apo pesë persona, por një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar.
Kështu thuhet për Gazetën Online Insajderi, nga delegacioni i Kosovës për persona të pagjetur që morën pjesë në këto gërmime.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, derisa tregoi për rrjedhën e këtyre punimeve dy-javore, ka theksuar edhe korrektësinë e bashkëpunimit me autoritetet serbe.
Ai thotë se ky bashkëpunim është “brenda një standardi të pranuar profesional”.
Mirëpo, përveç ekspertëve mjekoligjor të këtyre dy vendeve, Gërxhaliu thotë se të pranishëm ishin edhe ata ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu edhe EULEX-in.
“Bashkëpunimi mes ekspertëve mjekoligjor është brenda një standardi të pranuar profesional. Krahas ekspertëve mjekoligjor të Republikës së Kosovës dhe ekspertëve e zyrtarëve të institucioneve të Serbisë, të pranishëm kanë qenë edhe ekspertët e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, ekspertët e EULEX-it dhe përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, ka thënë drejtori i IML-së për Insajderi-n.
Gërxhaliu tutje shtoi se lokacionit është konservuar me standarde pesë-shtresore, me masa gjeoplastike, të cilat nuk lejojnë lëvizjen e as lagien e vendit. Për të ofruar siguri është ndërtuar edhe një çati në pjesën e epërme.
“Deri më tash janë tërhequr ato pjesë kockore që kanë qenë në sipërfaqe pas gjetjes. Të njëjtat janë ekzaminuar në aspektin mjeko-ligjor, janë marrë mostrat për AND, dhe para se t’i qasemi punës në pranverë, do t’i kemi edhe rezultatet e identifikimit, me çka do ta dimë edhe cilit regjion i takojnë, sepse do të jenë të sakta”, shtoi ai.
Edhe udhëheqësi i Zyrës në Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit, Kushtrim Gara, thotë se gërmimet vlerësuese kanë përfunduar.
“Gërmimet vlerësuese kanë përfunduar, sipas sugjerimeve që kemi pranuar nga ekspertët mjekoligjor, përfshirë edhe ekspertët e Republikës së Kosovës që janë të angazhuar në të gjitha fazat e procedimit të mëtejmë të ‘rastit të varrezës masive në Kizhevak’”, ka thënë Gara për redaksinë.
Kërkimet zyrtare në këtë varrezë masive kanë nisur më 30 nëntor, ndërsa terreni ka qenë mjaft i vështirë.
Varreza masive në Kizhevak është e pesta varrezë masive me viktima shqiptare që zbulohet në territorin e Serbisë. Kjo varrezë masive është në një minierë ku për vite të tëra janë hedhur gurë dhe mbeturina, ndërsa zbulimi i saj është bërë nga imazhet satelitore te Ushtrisë amerikane, që janë siguruar përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Që nga viti 2001 e deri më sot, në territorin e Serbisë, në katër lokacione janë gjetur varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë.
Sipas të dhënave të Zyrës për persona të zhdukur të UNMIK-ut, në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në vitin 2001 janë zbuluar 744 trupa. Të njëjtin vit, në Petrovo Selo, në Serbinë Lindore, janë gjetur 61 trupa. Në liqenin Peruqac, në vitin 2001, është zbuluar varrezë masive me 84 trupa.
Më shumë një mijë e 640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të pagjetur që nga përfundimi i luftës më 1999. /Insajderi.com