Sekretari i Sindikatës së Infermierëve që 8 ditë në grevë urie

Sekretari i Sindikatës së Infermierëve që 8 ditë në grevë urie

Sekretari i Sindikatës së Infermierëve, Enlirat Duraku, ka tetë ditë që kur ka hyrë në grevë urie, transmeton Insajderi.

Ai kërkon plotësimin e kërkesave nga Qeveria, ndërsa edhe pse ka kaluar tashmë një javë pa ngrënë, ai po vazhdon t’iu shërbejë pacientëve të prekur me COVID-19.

Gjatë grevës së urisë, infermieri thotë se i janë shfaqur probleme shëndetësore.

Madje, gjatë ndërrimit të punës mbrëmjen e së martës, i është dashur edhe intervenimi i ekipit të emergjencës.

Pas kësaj, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj është interesuar për gjendjen e tij, raporton T7.

Duraku që tashmë është kryeinfermier në klinikën që trajton pacientët e prekur me Coronavirus, ndërsa thotë se pagesa për ndërrimet e natës për infermierë prej 18 eurosh është e turpshme.

Për këto pakënaqësi të Durakut e kolegëve të tij infermierë, Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe u.d. e drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Pas këtij takimi, infermierët paralajmëruan veprime sindikale në rast të mos realizimit të kërkesave të tyre.

Këta të fundit i kanë dhënë ultimatum Qeverisë deri të premten që t’i plotësohen kërkesat.

Me këtë premtim, Duraku ndërpreu grevën në pritje të një vendimi nga institucionet përkatëse. /Insajderi.com