Ish-ambasadori amerikan, William Walker, ka deklaruar se nuk është vazhduar kontrata e tij me Presidencën e Kosovës, transmeton Insajderi.
Ai thotë se vazhdimi i kontratës që presidenca ka me “Fondacionin Walker”, varet nga presidenca jo nga ai.
Kështu është shprehur ai për T7, duke treguar se ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e ka telefonuar atë pas reagimeve të shumta në Kosovë, pasi nuk iu vazhdua kontrata.
“Kemi biseduar disa ditë më parë. Ajo telefonoi dhe më shpjegoi për atë që ndodhi me keqinterpretimin e fjalëve të saj, por kontrata nuk është zgjatur zyrtarisht. Ne do të duhet të diskutojmë për një kontratë të re me Presidencën, me Vjosa Osmanin, nëse duam ose jo një kontratë të re, ose nëse ata duan një kontratë të re. Kështu që ne diskutuam shumë gjëra, unë shpjegova më hollësisht se për çfarë u themelua fondacioni dhe çfarë jam përpjekur të bëj për Kosovën për 20 vjet në fakt, por si një fondacion për disa vitet e fundit”, ka thënë ai.
“Ne kemi themeluar fondacionin për të ndihmuar në thelb çështjen shqiptare, jo vetëm Kosovën ose Shqipërinë, por për shqiptarët kudo në diasporë, në vendlindje për t’i ndihmuar në bashkimin e tyre në mënyrë që ata të punojnë më mirë së bashku. Dhe na thanë që nëse fondacioni dëshironte të ndihmonte Kosovën, mënyra më e mirë e mundshme ishte të arrihej një marrëveshje me Presidencën, jo personalisht me Hashim Thaçin, për të parë nëse mund të bashkëpunojmë në një farë mënyre për të ndihmuar fondacionin të bëjë atë që u themelua për të bërë”, ka thënë Walker.
Vlera e kontratës që fondacioni Walker kishte nënshkruar me presidencën, në kohën kur i pari i shteti ishte Hashim Thaçi, është 7000 euro për muaj.
Megjithatë Walker thotë se këto para nuk i merr ai personalisht, por fondacioni që e udhëheq miku i tij, Hasan Salihu.
E fiks një javë më parë ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, tha se kjo marrëveshje ka skaduar dhe nuk është vazhduar, ndonëse kishte afat deri më 31 dhjetor. /Insajderi.com