Asamblisti i pavarur në Komunën e Podujevës, Blerim Maqastena, po vazhdon të jetë në paraburgim në burgun e Serbisë, derisa institucionet e vendit ende nuk kanë marrë sqarim përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, për mos-lirimin e tij të menjëhershëm.
Ndonëse u arrestua së bashku me kosovarin tjetër, Berat Mexhuanin, më 12 dhjetor nga xhandarmëria serbe, meqë dyshohet se aksidentalisht kanë kaluar kufirin Kosovë-Serbi, Maqastena nuk po lirohet edhe pas kërkesave të shumta nga organizmat vendorë.
Derisa Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, po vazhdon të mos prononcohet lidhur me këtë rast, Gazeta Online Insajderi ka mësuar se kjo ministri përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi ka ngritur shqetësimet dhe ka parashtruar ankesë te Zyra e Bashkimit Evropian në Beograd, lidhur me vonesën në sqarimin e rastit.
Kështu ka bërë të ditur për redaksinë, kryetari i komunës prej nga vjen Maqastena, asaj të Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Jam informuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ka ngritur shqetësimet dhe parashtruar ankesë te Zyra e Bashkimit Evropian në Serbi, në lidhje me vonesën në sqarimin e këtij rasti”, ka thënë Bulliqi për Insajderi-n.
Ai tutje thotë se të kërkojë përmes institucioneve kompetente, të merret informacion zyrtar dhe të sqarohet se pse po mbahet Maqastena në paraburgim dhe të kërkojë lirimin e tij të menjëhershëm.
Shqiptimin e masës së paraburgimit për 30 ditë ndaj Maqastenës, Bulliqi e ka konsideruar veprim të padrejtë dhe si i tillë, sipas tij, duhet të revokohet.
Të jashtëligjshëm këtë veprim e kanë cilësuar edhe nga Ministria e Drejtësisë, të cilët thonë se “Serbia duhet të ndalojë këtë agresion të shtuar ndaj qytetarëve shqiptarë”.
Nga kabineti i ministrit Selim Selimi, thonë se kjo qasje e tyre po dëmton edhe procesin e dialogut.
“Serbia po vazhdon jashtëligjshëm të burgosë e të ndalojë shqiptarët të cilët ushtrojnë të drejtat e tyre. Serbia duhet të ndalojë këtë agresion të shtuar ndaj qytetarëve shqiptarë. Kjo qasje e tyre dëmton edhe procesin e dialogut”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për Insajderi-n.
Redaksia ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme për të marrë vesh se pse Maqastena po vazhdon të mbahet nën grilat e burgut serb, por nga ky dikaster përgjegjësinë për t’u përgjigjur ia vunë Policisë së Kosovës.
Gazeta Online Insajderi ka dërguar pyetje në adresë të PK-së por nuk ka pranuar përgjigje.
Ajo se çfarë kuptohet deri më tani është se komandanti i Stacionit Policor në Podujevë ka njoftuar se deri te arrestimi i këtyre dy personave ka ardhur, pasi të njëjtit kanë qenë përgjatë brezit kufitar, ku si pasojë e mjegullës mund kenë kaluar në territorin e shtetit fqinj.
Familjarët e Maqastenës e kanë vizituar atë në burgun ku po mbahet në Serbi. Kanë treguar se gjendja shëndetësore e tij është e mirë dhe nuk po keqtrajtohet nga njësitë serbe.
Masa e paraburgimit Maqastenës iu shqiptua nga Gjykata në Serbi gjatë ditës së hënë, gjë që nxiti reagime të shumta.
Kryeministri Hoti, edhe pse pas katër ditësh që nga kjo ndodhi, tha se janë duke e parë nga afër rastin në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
E sipas autoriteteve serbe, masa e paraburgimit prej 30 ditësh iu shqiptua pasi që i njëjti posedonte armë me vete dhe ka kaluar ilegalisht kufirin.
Maqastena posedon armë me leje, por që për autoritete serbe ajo leje nuk vlen, meqë është e lëshuar nga autoritetet kosovar, të cilat Serbia nuk i njeh. /Insajderi.com