Ushtruesja e detyrës së Presidentes, njëherësh edhe Kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se do të garojë në zgjedhjet e reja parlamentare në çfarëdo kohe që do të mbahen ato, transmeton Insajderi.
Osmani shprehet se në këto zgjedhje do të garojë me Iniciativën Qytetare që po punon të ndërtohet.
“Ky është plani (garimi në zgjedhje). Tani opsioni të cilin po punojmë është ndërtimi i një Iniciative Qytetare që fokusohet tek njerëzit me integritet që jo domosdoshmëritë kanë qenë në politikë”, ka thënë Osmani në Euroneës Albania.
“Njerëzit më të mirë i kemi jashtë politikës. Ka interesim të madh për të na u bashkuar dhe po bisedojmë me shumë njerëz”.
“Na inkurajon mbështetja e madhe qytetare. Do t’ia ofrojmë këtë mundësi qytetarëve dhe jemi me fat që ata do të vendosin për ne. Po punojmë në terren ne identifikimin e figurave kredibile. Po punojmë më aktivistët tanë që trokasin në secilën derë”, është shprehur tutje ajo.
Osmani në këtë intervistë ka thënë se mbështetësit e saj kryesor janë votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. /Insajderi.com