Shefi i Kabinetit të ushtrueses së detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, Faton Peci, i është kundërpërgjijgur ish-Sekretarit të Zyrës së Presidencës, Driton Gashi, për të cilin thotë se ka këmbëngulur që t’i merrte dokumentet konfidenciale nga kasaforta në Presidencë, transmeton Insajderi.
Peci ka thënë se e ka zënë Gashin bashkë me një agjent të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës duke tentuar që t’i tërhiqnin dokumentet nga sefi i Zyrës së Presidentit.
“Gashin bashkë me një agjent të AKI-së i kam zënë në flagrancë duke sulmuar Presidencën. Është zënie në flagrancë sepse e kanë sulmuar institucionin. Sekretari i Zyrës së Presidentit [Driton Gashi] ka thënë në prezencë time se: Nuk lejoj që këto dokumente të bien në dorën e EULEX”.
“Kur e kam prezantuar vendimin e Osmanit që të nuk lejon të preket sefi, Gashi ka treguar mosbindje duke thënë se do t’i marrë dokumentacionet që janë në sef”, ka thënë ai në emisionin ‘Rubikon’ të Klan Kosovës.
Peci ka thënë në Rubikon se vet Gashi i ka shkruar një sms, duke i thënë se EULEX do të kryente bastisje në Presidencë.
“Më 6 nëntor kemi pasë një agjendë të ngarkuar me disa takime që kemi pasë t’i zhvillojmë në presidencë, që ka qenë nderimet te varri i ish Presidentit Ibrahim Rugova… Sa po ktheheshim nga Velania kam pranuar sms nga Driton Gashi, ku më thotë se EULEX do t’i bastisë zyret e Presidencës. E kam të shkruar”.
“Jemi zhvendosur në zyrën e kryetares dhe kemi anuluar takimet. Derisa ne po diskutonim Presidentja më bën me dije se jam personi përgjegjës në Presidencë dhe shkova për të parë se a po zhvillohet aksioni i EULEX. Gashi ka qenë me telefon me dorë afër sefit duke tentuar që ta hapë kasafortën. Gashi nuk ka pasë mandat që të ftojë përfaqësuesin e AKI-së për të marrë dokumentacionin. Qasjen duhet ta ketë vetëm presidenti i vendit”, ka thënë tutje ai. /Insajderi.com