Qerkini: Të hetohet mirë rasti për hapjen e kasafortës në Presidencë

Qerkini: Të hetohet mirë rasti për hapjen e kasafortës në Presidencë

Avokati i njohur kosovar, Artan Qerkini, ka komentuar deklaratat e Faton Pecit – shefit të Kabinetit të ushtrueses së detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani – i cili iu kundërpërgjigj ish-Sekretarit të Zyrës së Presidencës, Driton Gashi, duke thënë se ky i fundit ka këmbëngulur që t’i merrte dokumentet konfidenciale nga kasaforta e Presidencës, transmeton Insajderi.

Qerkini thotë se rasti duhet të hetohet mirë dhe të eleminohen spekulimet për të parë nëse ka pasur shkelje ligjore ose jo.

“Nuk kemi qenë dëshmitarë çfarë ka ndodhur aty, faktet i mësuam nga deklarimet e Z. Gashi dhe Z. Peci, rasti duhet të hetohet mirë dhe të eleminohen spekulimet për të parë se a ka pasë shkelje ligjore apo jo”, ka thënë Qerkini në Rubikon.

Qerkini në këtë emision ka reaguar edhe për shkarkimin nga detyra e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kreshnik Gashi.

Ai deklaroi se institucionet që e përbëjnë themelin e një shteti në këtë rast AKI-ja, duhet të ketë një stabilitet brenda saj.

“Shtetin e përbëjnë agjencitë e pavarura siç janë AKI-ja, ZRRE-ja, Zyra e Auditorit Gjeneral dhe kështu me radhë. Dhe jo këto institucionet politike që ndërrohen çdo katër vite me radhë si Kuvendi dhe Qeveria”, u shpreh avokati Qerkini.

“Institucionet shtetërore duhet t’i karakterizojë një stabilitet, ato e përbëjnë themelin e një shteti, ne nuk mund të flasim për stabilitet dhe mirëfunksionim të një institucioni me rëndësi vitale nëse asnjëri prej drejtorëve nuk e përfundon mandatin deri në fund”.

“Urojë në të ardhmen kriteret për përzgjedhjen e një personi të ri në krye të AKI-së të jenë sa më objektive që të eliminohen subjektivizmat dhe ndikimet politike”, ka thënë Qerkini. /Insajderi.com