Haxhiu pas fjalimit të Osmanit në Shqipëri: Turp që s’e lanë dot as kërkimfalja

Haxhiu pas fjalimit të Osmanit në Shqipëri: Turp që s’e lanë dot as kërkimfalja

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar ashpër ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, pas fjalimit që mbajti të enjten në Kuvendin e Shqipërisë, njofton Insajderi.

Fjalimin e Osmanit, ajo e ka quajtur turp të madh, të cilin tha se nuk e lanë dot as kërkimfalja më e thellë.

Tutje, Haxhiu është shprehur se Osmani po “shkelë pa mëshirë në një kohë të ligë, fyen vetëdijen dhe solidaritetin shqiptar duke e shfrytëzuar maksimalisht një pozicion që ia rezervon Kushtetuta e Kosovës e jo besimi qytetetar”.

“Lobimi” i Vjosa Osmanit në Parlamentin Shqiptar (spikeres së mirë do të thoshin nga VV) dhe tendeca e saj e ulët për t’iu dhënë “leksione”e “mësime” institucioneve shqiptare për të përkrahur Republikën e Kosovës, shpërfaq paditurinë më të madhe të një politikani në raport me zhvillimet më shumë se 30 vjeçare ndërvllazërore në mes Shqipërisë dhe Kosovës”, ka shkruar deputetja e AAK-së në profilin e saj në Facebook.

Haxhiu ka thënë se refuzon që të përfaqësohet nga Vjosa Osmani.

“Prandaj, unë si qytetare e Republikës së Kosovës në radhë të parë, si nënë dhe mbi të gjitha si bashkëqytetare e bashkëveprimtare e shumë dëshmorëve të rënë për liri nën betimin e ushtarit të UÇK- së, e krejt në fund edhe si deputete e Kuvendit të Kosovës; REFUZOJ, REFUZOJ, REFUZOJ të përfaqësohem nga një njeri, e për më keq nga një kolege imja, e cila shkelë qëllimshëm mbi Lavdinë më të Madhe shqiptare në shek. XX – UÇK-në krenarinë që fitoi zemrën dhe admirimin e vendeve demokratike botërore”, ka shkruar ndër të tjera ajo./Insajderi.com