PDK: Ka ardhur koha që vendi të shkojë në zgjedhje

PDK: Ka ardhur koha që vendi të shkojë në zgjedhje

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se ka ardhur koha që vendi të shkojë në zgjedhje, njofton Insajderi.

Tahiri ka njoftuar se PDK-ja e vlerëson si të papranueshme sjelljen e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend.

Sipas tij, institucionet janë degraduar nga dy qeveritë e dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.

“Ky shtet po vazhdon të udhëhiqet nga qeveria e dytë  e koalicionit të shpresës së rremë. Kemi degradim të skajshëm në Kuvendit, si rezultat i kësaj qeverisje që kanë dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Këta se kanë hallin e arsimit, shëndetësisë, qytetarëve, por të rehatimit të militantëve. Është koha që ky Kuvend të shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha ai gjatë një konference për media.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e së premtes në Kuvendin e Kosovës kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj në sallë.

Ndërsa, deputeti nga radhët e kësaj partie, Liburn Aliu, ka paralajmëruar se sërish do ta pamundësojnë mbajtjen e seancave të Kuvendit në rast se prezent do të jetë zëvendëskryeministri Selmanaj. Kjo për shkak të deklaratave të këtij të fundit në lidhje me të pagjeturit./Insajderi.com