Policia jep detaje për tentim-vjedhjen në Veternik ku mbeti i plagosur një polic

Policia jep detaje për tentim-vjedhjen në Veternik ku mbeti i plagosur një polic

Katër persona dyshohet se ishin pjesë e një tentim-vjedhje në Prishtinë, ku mbeti i plagosur një zyrtar policor.

Por, policia i ishte kundërpërgjigjur sulmuesve për të shpëtuar policët e tjerë nga plumbat që hidhnin plaçkitësit në tentativë të bankomatit në Veternik.

“Duke parë rrezikun e menjëhershëm, të drejtpërdrejtë dhe krejtësisht të pashmangshëm për jetën e tyre zyrtarët policor kanë përdorur armën e tyre me qëllim të parandalimit të sulmit serioz nga të dyshuarit”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Boroci, tha për Gazetën Online Insajderi, se përpos plagosjes së policit ka pasur edhe dëme materiale.

“Si pasojë e të shtënave nga të dyshuarit përveç plagosjes së zyrtarit policor janë shkaktuar edhe dëme materiale në një veturë të policisë si dhe në një kamion dhe në një automjet tjetër transportues”.

Vjedhja e planifikuar nuk ka mundur të realizohet, njofton Insajderi.

“Së këndejmi të dyshuarit me qëllim të hapjes së bankomatit dhe grabitjes së parave,  dyshohet të kenë përdorur materie shpërthyese,  por përkundër kësaj si rezultat i reagimit policor nuk kanë arritur ti grabisin ato”, vazhdoi Boroci.

“Policia bashkërisht me prokurorin e shtetit po koordinojnë veprimet vijuese hetimore deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke orientuar hetimin për grabitje të armatosur në tentativë dhe vrasje e rëndë në tentative”, përfundoi deklaratën zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës. /Insajderi.com