Nuk mund të tregtohet rrymë në kufirin energjetik Kosovë-Serbi

Nuk mund të tregtohet rrymë në kufirin energjetik Kosovë-Serbi

Operatorët komercialë të energjisë nuk mund të tregtojnë energji elektrike në kufirin energjetik të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, transmeton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur nga zyra për informim e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Kjo ndërprerje ka ndodhur që nga 14 dhjetori, kur KOSTT-i ka filluar të operojë si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës.

“Aktualisht, nuk bëhen transaksione komerciale të energjisë elektrike (tregtim) në kufirin energjetik Kosovë – Serbi, por linjat ndërkufitare janë në operim dhe në ato rrjedh energjia elektrike”, thuhet në një përgjigj të KOSTT-it, raporton REL.

Sipas këtij operatori, arsyeja pse ende nuk ka tregtim në linjat ndërkufitare Kosovë-Serbi është për shkak se operatori serb EMS (Rrjeti Elektro-energjetik i Serbisë) ende nuk ka bërë marrëveshje me KOSTT-in për tregtim të kapaciteteve.

Njohësi i çështjes energjetike në Kosovë, Arben Gjukaj, thotë se Serbia, duke shfrytëzuar fazën tranzitore të pavarësimit të rrjetit transmetues të Kosovës, ka shitur në mënyrë jo-transparente dhe kundër rregullave për tregti ndërkufitarë te kapaciteteve transmetuese, në linjat në mes të Kosovës dhe Serbisë (400 dhe 220) kilovolt (KV).

E gjithë kjo, sipas tij, është bërë për shkak se operatori i transmisionit të Serbisë, EMS-ja nuk ka bashkëpunuar me operatorin e transmisiont të Kosovës, KOSTT, në fazë tranzitore të fillimit të operimit të KOSTT-it si zonë rregulluese e pavarur me Shqipërinë.

Kjo situatë do të jetë deri më 31 dhjetor, pasi Serbia krejt kapacitetet e linjave transmetuese ndërshtetërore që kanë shkuar në drejtim të Kosovës i ka deklaruar zero. Ai shton se nuk ka kapacitete të lira në këto linja për tregtarët që dëshirojnë të shesin apo blejnë energji në Kosovë ose anasjelltas.

“Në këtë situatë e vetmja rrugë për tregtim të energjisë elektrike për tregtarët dhe operatorët tjerë vendorë, është përdorimi i rrugëve alternative që janë linja transmetuese me vendet tjera fqinje që lidhin Kosovën me rajonin”, thotë Gjukaj.

Në takimin e datës 1 dhjetor 2020 të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-së, të gjithë Operatorët e Sistemit të Transmetimit (OST), janë zotuar që do ta përkrahin KOSTT-in në fazën e tranzicionit si zonë e pavarur rregulluese Shqipëri-Kosovë. /Insajderi.com