Mërgimtarëve nuk iu kërkohet testi PCR në hyrje të Kosovës

Mërgimtarëve nuk iu kërkohet testi PCR në hyrje të Kosovës

Mërgimtarët të cilët janë nisur drejt Kosovës për të kaluar festat e fundvitit, nuk do t’i nënshtrohen testit PCR për COVID-19 me rastin e hyrjes në vend, transmeton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë, në njoftimin e të cilës shtohet se testi PCR negativ u kërkohet vetëm atyre që nuk kanë vendbanim në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë.

Qytetarët e Kosovës që vijnë në Kosovë, nuk do t’i nënshtrohen as karantinimit apo izolimit 14-ditor.

Karantinimi vlen vetëm për ata që s’kanë vendbanim në Kosovë dhe që vijnë nga shtetet me rrezik të lartë, të cilët duhet të vetizolohen për shtatë ditë.

“Qytetarët të cilët nuk kanë vendbanim në Kosovë me rastin e hyrjes në Kosovë, e kanë testin e bërë në vendin prej nga vijnë, ndërsa ata që nuk e kanë këtë vetizolohen për shtatë ditë si masë kujdesi dhe në rast se manifestojnë shenja të pranisë së virusit, e kanë mundësinë që, sipas indikacioneve mjekësore të testohen në institucione publike, sikurse çdo qytetar tjetër i Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në një njoftim për media. /Insajderi.com