Tahiri për deklaratën e Vuçiqit: Nuk është serioz në dialog, po paraqitet si politikan i moderuar

Tahiri për deklaratën e Vuçiqit: Nuk është serioz në dialog, po paraqitet si politikan i moderuar

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka komentuar deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ditë më parë tha se derisa është në këtë pozitë, Serbia nuk do ta njohë shtetin e Kosovës, njofton Insajderi.

Sipas tij, kjo deklaratë e Vuçiqit ka përçuar dy mesazhe te faktori ndërkombëtar.

“Kjo çon dy porosi tek faktori ndërkombëtar: Njëra që nuk është serioz në dialog, por këtë proces e ka vetëm për t’u dukur si një politikan i moderuar që e dëshiron paqen dhe marrëveshjen me Kosovën si dhe e dyta është brenda politikës së vet, një regjion që e ka goxha autoritar dhe që e lidhë gjithçka me emrin e tij”, tha Tahiri gjatë një konference për media, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.

Sipas tij, Kosova ka mekanizma të kontrollit dhe deklaratat e tilla nuk duhet ta shqetësojnë.

“Deklarata e Vuçiqit është thjeshtë një vazhdimësi e provokimeve në raport me Kosovën. Secili njëri që mendon se ai do ta pranojë Kosovën, ka një dozë të naivitetit politik. Ne nuk merremi me të, kemi parimet tona që na udhëheqin në procesin e dialogut me Serbinë. Kemi synimin tonë për integrim në NATO dhe Bashkim Evropian, si dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me ndërkombëtarët”, tha tutje Tahiri./Insajderi.com