Quni: Projektligji për ushtri është i njëanshëm

Quni: Projektligji për ushtri është i njëanshëm

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni ka thënë se vendimi për krijimin e ushtrisë së Kosovës është i njëanshëm.

Ai ka thënë se për këtë çështje është dashur të bisedohet edhe me partnerët ndërkombëtarë, duke iu referuar NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Është e kuptueshme sepse vendimi është i njëanshëm dhe nuk ka arsye përderisa ne me ta që nga mbarimi i luftës, që nga transformimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupa Mbrojtëse të Kosovës, pastaj në Forca të Sigurisë së Kosovës të gjitha këto i kemi bërë në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in, me NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet programeve të ndryshme pse mos të vazhdojmë këtë praktikë të mirë edhe në ardhmen”, ka thënë ai.

Quni ka konsideruar se nuk është e kuptimtë që të krijohet Ushtria e Kosovës nëse në një të ardhme të afërt do të jemi të izoluar dhe pa përkrahjen e partnereve strategjikë.

“Atëherë do të ketë vështirësi të mëdha. Nuk ka kuptim që të krijojmë Ushtrinë e Kosovës nëse ne në të ardhmen do të jemi të izoluar dhe pa përkrahjen e partnerëve tonë strategjikë”, ka thënë ai për EO.

Quni ka thënë se jemi Kosovë është shumë vonë për krijimin e ushtrisë dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është dashur të shuhet fare.

“Nëse ne flasim në këtë kuptim ne jemi të vonuar me vite të tëra që një dekadë e gjysmë. Nëse e elaborojmë edhe më gjerë nuk ka pasur nevojë fare që të shuhet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kemi mundur që atëherë të kemi një vazhdimësi që menjëherë pas tërheqjes së forcave serbe nga territori i Kosovës ne ti kemi kapacitetet ushtarake”, ka shtuar Quni./Insajderi.com