Krasniqi: Fundi i janarit koha më e përshtatshme për zgjedhjet

Krasniqi: Fundi i janarit koha më e përshtatshme për zgjedhjet

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas takimit të zhvilluar me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ka thënë se vendi duhet shkuar në zgjedhje sa më shpejtë që të jetë e mundur në bazë të afateve kushtetuese, njofton Insajderi.

Ai ka thënë se fundi i janarit do të ishte koha e përshtatshme për të shkuar në zgjedhje, duke shtuar se është e domosdoshme të mos humbet kohë.

“Besojmë që fundi i janarit do të ishte më e përshtatshme. Është e domosdoshme të mos humbim kohë, për shkak se edhe viti i ardhshëm po vije më shumë probleme sa i përket funksionimit të institucioneve, krizës ekonomike”, tha ai.

Krasniqi ka thënë se Qeveria e re duhet zgjedhur para se ushtrueses së detyrës së Presidentes t’i kalojë mandati, në të kundërtën sipas, tij, do të hyjmë në një krizë të pa përjetuar institucionale.

“Rreziku është që të kemi një situatë të pa përjetuar më parë  sa i përket funksionimit të institucioneve. Dhe është më rendësi që të kemi një datë për zgjedhje në një afat sa më të hershëm në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

I pyetur për koalicionet e mundshme ka thënë se tash nuk është ky prioriteti i tyre, por nuk e ka përjashtuar që të ketë koalicione me parti më të vogla. /Insajderi.com