Shefi i Grupit Parlamentar të Nismas Socialdemokrate, Endrit Shala, ka thënë që kjo parti është e gatshme për zgjedhjet e parakohshme të cilat pritet që të mbahen se shpejti, njofton Insajderi.
Shala i ftuar në Emisionin Frontal është shprehur se “Nisma si subjekt politik është e përgatitur gjithmonë për zgjedhje kurdo që ato të mbahen. Tani e kemi një vendim të Kushtetueses që ne e respektojmë dhe vazhdojmë më tutje“.
Tutje ai ka folur edhe për mundësinë që Nisma të shkojë e vetme në zgjedhje apo të bëj koalicion me ndonjërën nga partitë politike në vend.
“Ne nuk kemi marrë vendim ende për këtë çështje. Normalisht ajo çfarë mendon shumica e udhëheqjes së Nismas dhe është kërkesë e shumicës është që Nisma të garojë e vetme. Ne jemi të gatshëm që të garojmë të vetëm. Por në diskutim me të tjerët, ne së shpejti do ta marrin një vendim“.
Më pas Shala ka zbuluar se Nisma tashmë ka marrë edhe oferta për koalicione parazgjedhore, por asgjë deri më tani nuk është vendosur brenda organeve të partisë.
“Nga organet drejtuese të Nismas do të merret vendimi dhe ne do të tregojmë se a do të shkojë Nisma e vetme apo në koalicion. Kemi oferta të shumta nga parti të tjera për të bashkëpunuar”./Insajderi.com