Nga të gjitha partitë e mëdha në Kosovë, vetëm Lëvizja Vetëvendosje aktualisht e ka të qartë se kush është kandidati i tyre për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca ende s’kanë vendosur një emër, që do të jetë figura të cilën do t’ua prezantonin votuesve si kandidati/ja i/e tyre për udhëheqës qeverie. PDK-së i ka shkruar lideri në Hagë, ndaj ende s’ka vendosur. LDK-ja ka ndarë rrugët me kandidaten e zgjedhjeve të kaluara, ndaj u duhet një tjetër. AAK s’ka, sepse lideri i saj dëshiron të jetë president e jo kryeministër.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e rrëzoi Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, partitë politike në vend kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ato janë shprehur të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa kandidatin për kryeministër e kanë bërë të ditur vetëm dy prej tyre.
Fjala është për Lëvizjen Vetëvendosje, kandidat i së cilës do të jetë kreu i saj, Albin Kurti dhe Aleancën Kosova e Re, me kandidatin për kryeministër, kryetarin e saj, Behgjet Pacolli.
Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje për Gazetën Online Insajderi ka deklaruar se i pari i VV-së jo vetëm që do te jetë kandidati i partisë, por do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.
“Nuk është se e kemi diskutuar, por është e qartë se Albin Kurti do të jetë jo vetëm kandidati jonë, por kryeministri i ardhëm i Kosovës, përveç Hotit sepse ai asnjëherë nuk ka qenë kryeministër legjitim, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ajo.
Ndërsa, lidhur me mundësinë që ky subjekt politik të krijojë koalicion me ndonjë nga partitë në rast se nuk arrinë të marrë shumicën e votave, Nagavci u shpreh se nuk do të jetë e nevojshme.
“Jam e bindur që VV-ja do të marrë shumicën e votave, pra mbi 50 për qind dhe se qeveria do të jetë shumë stabile”, tha tutje ajo.
Ndërkohë, Jetlir Zymberaj, këshilltar i Behgjet Pacollit, tha se brenda strukturave të partisë nuk ka dilemë për këtë çështje.
“z. Pacolli natyrisht”, tha shkurtimisht ai për Insajderin.
I pyetur nëse AKR-ja ka “vija të kuqe” me ndonjë nga partitë, Zymberaj u shpreh: “Jemi në diskutime të brendshme dhe ende nuk kemi ndonjë vendim sa i përket kësaj çështje”.
Lidhja Demokratike e Kosovës e cila aktualisht udhëheqë me qeverinë, ende nuk ka vendosur për kandidatin e saj për kryeministër. Nuk dihet nëse do të jetë kandidat kryeministri tashmë në detyrë, Avdullah Hoti, apo ndonjë emër tjetër.
“Ne nuk kemi përmendur askënd. Po presim këto ditë që të mblidhet Kuvendi dhe të aprovojë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare, të shpallen zgjedhjet e më pas ne do të mbledhim organet tona dhe të diskutojmë në mënyrë institucionale”, u shpreh kreu i kësaj partie, Isa Mustafa, të mërkurën para mediave.
Ndërkohë, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kohë që kanë shpallur kandidaturën e liderit të partisë, Ramush Haradinaj, për president të vendit, por për kryeministrin nuk kanë vendosur ende.
Kështu ka bërë të ditur për Insajderin, deputeti i kësaj partie, Shkumbin Demaliaj.
“Për momentin e kemi vetëm kandidaturën e z. Haradinajt për president, ndërsa për kandidatin për kryeministër nuk kemi vendosur akoma”, tha Demaliaj.
Kurse, të martën deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, përmendi kryetarin e partisë, Enver Hoxhajn si dhe shefin e deputetëve, Bedri Hamzën, si kandidatë të mundshëm për të parin e qeverisë. Por, ky i fundit tha se kjo çështje ende nuk është diskutuar brenda strukturave të partisë.
“Ta them me përgjegjësi të plotë se as nuk është diskutuar dhe as nuk është vendosur brenda PDK-së se kush do të jetë kandidati për kryeministër. Deklaratën e deputetit Abelard Tahiri e kam dëgjuar, por në strukturat e partisë nuk është diskutuar kjo temë. Unë nuk shoh asnjë telashe në këtë drejtim. Ne do ta caktojmë një kandidat i cili besojmë se do ta reprezantojnë më së miri partinë tonë në këto zgjedhje. Ne jemi të përgatitur për këto zgjedhje dhe do të garojmë me objektiva të matshme”, tha Hamza.
Nga NISMA Socialdemokrate thonë se kandidatin për shefin e qeverisë do ta vendosin pas caktimit të datës së zgjedhjeve.
“Jemi në konsultime tash me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe pas caktimit të kësaj date, atëherë organet drejtuese të partisë do të vendosin për listën e kandidatëve për deputetë dhe kryeministrin. Ne si subjekt politik jemi të gatshëm për zgjedhje, kurdo që caktohen ato”, i tha Insajderit deputeti i NISMA-s, Endrit Shala.
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të hënën që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në afat prej 45 ditësh.
Kjo pasi Gjykata i ka dhënë të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje, në ankesën e saj për votën e deputetit Etem Arifi për Qeverinë Hoti. /Insajderi.com