Hoti: LDK është favoriti kryesor për t’i fituar zgjedhjet

Hoti: LDK është favoriti kryesor për t’i fituar zgjedhjet

Kryeministri tashmë në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës (partia prej nga ai vjen) është favoriti kryesor për t’i fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, njofton Insajderi.

“Nesë i shihni veprimet që i kemi ndërmarrë për 6-7 muaj të qeverisë, ne jemi favoriti kryesor, sepse e dini si e kemi gjetur vendin me sanksione ndërkombëtare, përfshirë mikun tonë më të madh [SHBA-në]. Ne i kemi përmirësuar këto raporte, kemi menaxhuar pandeminë. Pra, Kosova është në mesin e 3-4 vendeve që më së miri e ka menaxhuar pandeminë”.

“Ne kemi hequr nga diskursi disa dukuri negative si korrupsioni, nepotizmi, jo duke folur para medieve, por me veprime konkrete”, është shprehur Hoti.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë duhet respektuar.

“Është me rëndësi që t’i kryejmë procedurat e nevojshme dhe të përgatitemi për zgjedhje si dhe partitë të tregohen të matura për organizimin e zgjedhjeve me stadarde evropiane”, ka thnë i pari ekzekutivit.

Tutje, ai ka shtuar se LDK-ja tashmë ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e reja, ndërkaq ka thënë se me të gjitha partitë politike janë duke biseduar për votimin e buxhetit për vitin 2021 para se të shpërndahet Kuvendi./Insajderi.com