Donika Gervalla, ish-kryetarja e degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani, ka kërkuar që Komisioni Qendror i zgjedhjeve sa më shpejt ta njoftojë diasporën për procedurat e regjistrimit për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme.
Madje, sipas saj çdo vonesë përbën një shkelje të të drejtës së diasporës për të votuar.
“Kërkojmë nga KQZ-ja që urgjentisht, më së voni deri në fund të kësaj jave, të përgatisë dhe të botojë në faqen e saj dokumentacionin që duhet plotësuar nga mërgata për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Nuk ka asnjë nevojë që për hapin e parë, pra regjistrimin e votuesve, të pritet deri sa të kryhen formalitetet rreth këtyre zgjedhjeve. Çdo vonesë, e qëllimshme apo jo, paraqet një shkelje të rëndë të së drejtës që na e garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës!”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Për diasporën ka pasur kritika në të kaluarën se “kanë vështirësi në formën e votimit”. /Insajderi.com