Mustafa: Vendimi i Kushtetueses joprofesional, Arifi votoi edhe Qeverinë Kurti – askush nuk tha se s’ka të drejtë

Mustafa: Vendimi i Kushtetueses joprofesional, Arifi votoi edhe Qeverinë Kurti – askush nuk tha se s’ka të drejtë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka konsideruar të padrejtë dhe joprofesional vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti duke u bazuar në votën e deputetit të dënuar, Etem Arifi, transmeton Insajderi.

Mustafa thotë se Arifi ka votuar edhe Qeverinë Kurti dhe Kryesinë e Kuvendit, por askush nuk është marrë me këtë rast, duke shtuar se do ta respektojnë këtë vendim edhe pse si të tillë e quajnë të dëmshëm për vendin.

”Ne nuk kemi pritur fare që Gjykata Kushtetuese do të dalë me një vendim të tillë sepse janë marrë masa dhe nuk është alarmuar ligjshmëri me kohë ndaj deputetit Etem Arifaj. Ai është zgjedhur deputet në këtë mandat”, ka thënë Mustafa, raporton EO.

”Vepra për të cilën është dënuar ai i takon legjislacionit të kaluar dhe rrjedhimisht ai ka bërë mandatin në legjislacionin e kaluar. Ai ka marrë pjesë dhe ka votuar për të gjitha organet që kanë dal nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar edhe për Kuvendin edhe për Kryesinë e Kuvendit edhe për Qeverinë Hoti dhe Qeverinë Kurti dhe askush nuk e ka sinjalizuar se ai nuk ka të drejtë ta bëjë këtë. Dhe tash është çështja vetëm te votimi i Qeverisë Hoti. Do të lihen anash votat për të tjerët”, është shprehur tutje ai.

Madje, Mustafa thotë se Gjykata Kushtuese nuk ka të drejtë të shpallë zgjedhje dhe se sa herë që po i kërkohet mendim Gjykata po shkruan pjesë të Kushtetutës që nuk e kanë nën kompetencë.

”Mendoj se është një koncentrim i paarsyeshëm i Gjykatës Kushtetuese nëse Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që ky nuk ka pasur mandat që nga fillimi sepse ka qenë i dënuar atëherë duhet mandati i tij të zbritet nga mandatet e 120 deputetëve dhe mbetet që qeveria prapë është votuar me shumicën e deputetëve dhe po ashtu nuk shoh asnjë arsye kushtetuese që Gjykata Kushtetuese t’i shpallë zgjedhjet”.

”Nuk është në mandatin as në rolin e Gjykatës Kushtetuese që t’i shpallë zgjedhjet. Ajo mund të konstatojë në aktgjykim dobësitë ose lëshimet ligjore të cilat kanë ndodhur, por nuk është ajo që i shpallë zgjedhjet. Unë mendoj që nuk ka qenë as i drejtë dhe as profesional. Por unë nuk e kontestojë tani vendimin si të tillë sepse ne jemi shprehur si LDK që do ta pranojmë vendimin dhe do të sillemi sipas këtij vendimi”.

”Por unë mendoj se vendimet e tilla nuk i bëjnë mirë vendit sepse asnjë gjykatë në Kosovë nuk duhet të dalë dhe të sillet si organ suprem i shtetit të Kosovës dhe ai pastaj ndan drejtësinë sepse është Kushtetuta që i ka përcaktuar rregullat e sjelljes dhe nuk mundet Gjykata Kushtetuese në çdo rast të shkruaj pjesë të Kushtetutës ashtu siç po ndodh tek ne”, ka përfunduar ai. /Insajderi.com