Kryetari i Lidhjes Demokratike në Prizren, Anton Quni, ka deklaruar se nuk do ta refuzonte kandidaturën për kryeministër të Kosovës, nëse partia e tij e propozon në zgjedhjet e ardhshme, që pritet të mbahen së shpejti, njofton Insajderi.
Ai është shprehur se gjithmonë është i gatshëm për sfida të reja dhe se “asnjëherë nuk iki nga përgjegjësitë”.
Tutje, Quni tha se LDK-ja është e gatshme për t’u ballafaquar me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“LDK-ja ka struktura të konsoliduara mirë. Është parti serioze dhe gjithmonë e gatshme për ballafaqim me zgjedhje”, tha Quni për PrizrenPress.
Ndërsa, për qeverisjen e bashkëpartiakut të tij, Avdullah Hoti, si kryeministër i vendit, Quni tha se “ka bërë punë të mëdha”.
“Qeveria e Hotit ka bërë përpjekje që t’iu dalë në ballë kërkesave të qytetarëve. Ishte mandat i shkurtër dhe qeveria u përball me situata tejet të renda si rezultat i pandemisë. Megjithatë, qeveria ka bërë përpjekje maksimale t’i dalë ballë nevojave dhe kërkesave të qytetarëve”, tha tutje ai./Insajderi.com