Mustafa për sondazhet e VV-së: Në LDK nuk iu besojmë përrallave

Mustafa për sondazhet e VV-së: Në LDK nuk iu besojmë përrallave

“Rrëzimi i Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Avdullah Hoti, nuk mund të jetë arsye që Lidhja Demokratike e Kosovës të dëmtohet në zgjedhjet e ardhshme, pasi Qeveria Hoti nuk e ka shkelur Kushtetutën e vendit”.

Kështu ka deklaruar kreu i kësaj partie, Isa Mustafa, i cili shtoi se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që pritet të mbahen së shpejti, do të dalin më të mirët.

Madje, ai tha se në këtë parti nuk iu besojnë fare përrallave, duke iu referuar sondazheve të fundit që po e nxjerrin Vetëvendosjen si fituese të zgjedhjeve, duke i quajtur të porositura nga kjo e fundit.

“Si LDK nuk iu besoj fare sa përrallave aq iu besoj këtyre sondazheve të Vetëvendosjes dhe të porositura nga ajo. Ne njihemi mirë në Kosovë kush çfarë anëtarësie ka, cilët votues i ka. Njihemi mirë edhe me sondazhet dhe mënyrën e organizimit të tyre. Në zgjedhje nuk do të hyjmë me kompleksin e sondazheve, por do të hyjmë me besimin që presim nga qytetarët për programin tonë dhe për punën që ka bërë qeveria Hoti”, tha Mustafa.

Ndërsa, për humbjen në zgjedhjet që u mbajtën ditë më parë në Komunën e Podujevës, ai tha se LDK-ja e ka tërhequr Agim Veliun pasi ka qenë gjatë kryetar i komunës.

“Nuk kemi biseduar që askush ta lëshojë komunën dhe poashtu nuk kemi biseduar për emrin e kryeministrit të ardhshëm. Ne me vetëdije e kemi tërhequr zotëri Veliun nga Podujeva sepse ka qenë gjatë kryetar i komunës. Sipas rezultateve nominale ne e kemi humbur Podujevën, mirëpo ne e kemi shumë të ngushtë rezultatin e periudhës së kaluar sepse ne gati të njëjtin votues i kemi. Tjetër është që Vetëvendosje ka marrë shumë vota prej partive të tjera”, u shpreh i pari i LDK-së për EO.

Sipas Mustafës, LDK-ja nuk ka “vija të kuqe” me asnjë subjekt politik, por mund të bashkëpunojë me ata që do t’i respektojnë parimet e një partneriteti.

Por, se a do të ketë LDK-ja kandidat për president pas zgjedhjeve, ai tha se varet se kush do ta fitojë kryeministrin./Insajderi.com