Rexhepi i LDK-së: Nuk do të kandidoj për deputet në zgjedhje

Rexhepi i LDK-së: Nuk do të kandidoj për deputet në zgjedhje

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi, ka njoftuar nga Parlamenti se nuk do të kandidojë për këtë pozitë në zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen gjatë muajve në vazhdim, njofton Insajderi.

Këtë Rexhepi e bëri të ditur në seancën e sotme derisa po fliste në foltoren e Kuvendit për buxhetin e vitit 2021, e që kërkoi nga deputetët të votojnë këtë ligj.

“Duhet të ecim një hap ma tutje, në mënyrë që kriza institucionale dhe politike të mos thellohet nga ana jonë si parlament. Do të rreshtohem në variantin e të gjithë atyre deputetëve që mendojnë se duhet të votohet në të gjitha leximet ky ligj. Dua të ju falënderoj juve si parlamentarë, nuk do të bëj asnjë marketing, pasi që në zgjedhjet e ardhshme unë nuk do të jem kandidat për deputet. Ju falënderoj për bashkëpunimin”, tha deputeti Rexhepi.

Fatmir Rexhepi, deputet i LDK-së nuk kishte votuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti, pas mocionit që partneri i koalicionit, LDK e kishte ngritur në mars të këtij viti, duke vendosur të mos marrë pjesë në seancën ku po votohej shkarkimi i qeverisë. /Insajderi.com